Lista e Kompanive Instaluese të Kualifikuara për Sisteme Solare në Kosovë
Zhvillimi i një tregu të besueshëm, transparent dhe cilësor për energjinë diellore është një nga elementet kyçe për përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë. Në këtë drejtim, sigurimi i qasjes në informata të besueshme mbi kompanitë dhe instaluesit e kualifikuar luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e investimeve të sigurta dhe me cilësi të lartë në sistemet fotovoltaike.
Për të kontribuar në këtë proces, MIRECK ka përgatitur Listën e Kompanive Instaluese dhe Instaluesve të Kualifikuar për Sisteme Solare në Kosovë, e cila shërben si një burim informativ për individët, bizneset dhe institucionet që planifikojnë të investojnë në sisteme fotovoltaike (PV). Lista përfshin kompani instaluese dhe instalues që janë të përkushtuar ndaj zbatimit të standardeve vullnetare të cilësisë dhe praktikave profesionale në projektimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve solare.
Kjo iniciativë zbatohet me mbështetjen e projektit “Tranzicioni Energjetik dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike në Kosovë”, të financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe të implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje synohet të promovohet zhvillimi i një tregu më të qëndrueshëm për energjinë e ripërtëritshme, të forcohen kapacitetet e sektorit privat dhe të krijohen mekanizma që rrisin transparencën dhe besimin e konsumatorëve.
Publikimi i kësaj liste synon të lehtësojë identifikimin e ofruesve të kualifikuar të shërbimeve për sisteme solare, duke ofruar një pikë referimi për qytetarët, bizneset dhe institucionet që kërkojnë zgjidhje profesionale dhe të besueshme. Njëkohësisht, kjo nismë promovon standardet e cilësisë, inkurajon zhvillimin profesional të kompanive instaluese dhe instaluesve, si dhe kontribuon në krijimin e një mjedisi më konkurrues dhe më transparent në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
MIRECK mbetet i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë përmes iniciativave që nxisin profesionalizmin, bashkëpunimin ndërmjet akterëve të sektorit dhe përmirësimin e qasjes në informata të besueshme.
Më poshtë gjeni listën e kompanive instaluese dhe instaluesve të kualifikuar për sisteme solare në Kosovë.






















